në shtëpinë e vjetër shkoj edhe njëherë
s’vie më erë gështenjash të pjekura
kumbulla është tharë
nëpër rrugicën e heshtur kërkoj
buzëqeshjet e shkapërderdhura nëpër kalldrëm
ndonjë kujtim të humbur padashje
e gjej veten më të humbur se kurrë…
November 13, 2008
në shtëpinë e vjetër shkoj edhe njëherë
s’vie më erë gështenjash të pjekura
kumbulla është tharë
nëpër rrugicën e heshtur kërkoj
buzëqeshjet e shkapërderdhura nëpër kalldrëm
ndonjë kujtim të humbur padashje
e gjej veten më të humbur se kurrë…
November 13, 2008
në pasqyrë
shpesh e shoh një të huaj
ia kreh flokët e shprishur në gjumë
ai më shikon drejt në sy
ndonjëherë habitshëm
mbase i dukem i njohur por s’i kujtohem
pastaj më thotë diç me zërin tim
por nuk kuptoj ç’thotë ky njeri i çuditshëm
që fle në pasqyren time
* * *
në pasqyrë
shpesh e shoh një të huaj
dhe gjithmonë ta përshëndes harroj…
November 13, 2008
(kushtuar A.Q.)
Cani
do të jetë kjo
edhe një nga shakatë e tua të marrëzishme
nuk më besohet se ke vdekur, jo
fytyra jote e buzëqeshur
më është fiksuar në bebëza
si diapozitiv me ngjyra të pazbehura
eh, Cani
gjersa të tjerët ngadalë e shijojnë jetën
ti tënden e pive në një gllënjkë të tërën
atë koktej të çuditshëm
ëndrrash rinore
gënjeshtrash të falshme
ambiciesh të pashterrshme
e dashuriçkash të njëpasnjëshme
deshe kohën ta mashtrosh kaq i ri
e koha aq tinëzisht ta hodhi ty
Cani, ti e ke njohur mikun tim
atë thatanikun shtatgjatë
e ke parë gjithmonë në humor të mirë
rrallë herë të mërzitur
dhe atë rastësisht të mërzitur
kur në çast e harron filozofinë e tij jetësore:
“kam lindur me një defekt të pashërueshëm në zemër
dhe çdo çast mund të vdes
ndaj çdo mëngjes të ri e kremtoj si festë”
e unë, Cani, miku im
kam lindur me një defekt të pashërueshëm në shpirt
ndaj ta shkruaj nga kjo botë
këtë letër me lotë
edhepse e di që s’do ta lexosh kurrë
kam edhe shumë për të të thënë, Cani
je më i ri
dhe duhet të më dëgjosh
ndaj më prit kur të vij
atje një ditë
të çmallemi mirë e mirë
e pastaj dhe të të qortoj pak
që ike kështu pa u përshëndetur
këtë s’ke guxuar të ma bësh
mua, mikut tënd të vjetër
* * *
sot
bora mbulonte dheun
e dheu të mbulonte ty
dhe ndërkohë
nën tingujt e lopatave të përbaltura
ca nga fluskat e bardha që vërtiteshin në ajër
i more me vete ti…
Prizren, 29 janar 2004
November 13, 2008
November 10, 2008
Na ishte njëherë një perandori e fuqishme këndej pari. Pallate marramendëse të veshura në ar, pasuri përrallore të bartura atëherë në elefantë dhe kulturë të begatshme që ende të magjeps teksa i shfleton enciklopeditë. Besoj të ketë qenë e shtrirë edhe në këtë lagje ku banoj tani…
Dëgjohet pëllitja e një gomari ndaj e di se shitësi i misrit të pjekur po afrohet ngadalë me karrocën e vet. Në këndin e rrugës që të çon tek furra, djaloshi Pashtun do të jetë duke i pjekur kikirikat, të cilat në mungesë të një peshoreje, i mat me grushta. Njëzet rupi, një grusht përafërsisht. Herë më shumë, herë më pak, varet sa besnik je treguar kohët e fundit si myshteri.
E përmenda furrën, apo jo? Sot nuk arrita të shkoj vetë atje, por nga madhësia e petullës së sotme kuptoj se tregtarët e miellit prapë janë duke manipuluar me subvencionet e qeverisë. Siç po e shihni, nuk kam fare nevojë t’i lexoj gazetat për të kuptuar ç’po ndodh rreth meje. Edhe ashtu nuk do t’i kuptoja.
Në mejhanen përballë do të jetë tollovi e madhe si gjithmonë. Radha rëndom zgjatet deri te fundi i parkut, si një ekspozitë fytyrash ku secila në mënyrën e vet origjinale e shpreh urinë. Edhe sot menuja do të jetë e përbërë nga një ofertë e vetme: pilaf me mish pule. Gjithçka djeg. Edhe dielli i fortë i Punjabit mbi kokë, edhe pluhuri i rrugës në sy, e edhe lëngu që i hidhet pilafit sipër.
Mundohem t’i përshtatem ndryshimit në kohë. Këtu jam katër orë përpara, me dekada mbrapa…
November 10, 2008
një gjarpër i zi
m’u fut në ëndërr
i pagrishur
më kafshoi në zemër
ky i pabesë
më kafshoi në gjumë
tash klithma ime
përhapet si tymi
i malit që digjet
si t’ia shtyp kokën
këtij gjarpëri të zi
me fyellin si armë të vetme?
November 10, 2008
Mbijetesa këtu është një shkathtësi e ngritur në nivel të artit. Në temperaturë mbi 40 gradë, ky shitës me orë të tëra pret të shfaqet dikush për të blerë mango… Nëse shfaqet dikush.
Është e dielë, ditë pazari, në një fshat afër kufirit me Indinë. Është një e diel po aq e varfër sa ditët e tjera, e begatshme vetëm në ngjyrat e frutave me të cilat shumëkush do t’i ngopë vetëm sytë. Të varfër janë të gjithë, edhe ata që shesin, edhe ata që blejnë. Ai fatlumi që do të arrijë të fitojë diç, do të mund t’i gëzojë fëmijët me ndonjë “luks” në sofër…
Kjo llotari e mbijetesës vazhdon edhe ditëve të tjera, me më pak intensitet, por me të njëjtin durim. Temperatura do të jetë mbi 40 gradë celsius edhe nesër. Varfëria do të jetë duke pritur në po të njëjtin vend, gjithë ditën e gjatë…
November 9, 2008
nji kohë qorre ka ardhë
kur bota ashtë shndërrue në nji sy gjigant,
nxjerrë vendit…
November 9, 2008
E bleu një emër
në pazarin e atyre që s’kishin më adresë.
E bleu lirë.
Në pëllëmbët e tyre
e gjeti rrugën e vetë kaherë të ëndërruar.
Arriti dikur.
Grushtin e dheut të vendlindjes
e shiti për baltë.
Lirë,
gjithçka kushton lirë
në pazarin e leckave të përdorura
të qytetit të ri…